Përmbytjet në Përmet, disa shtëpi të pabanueshme. Ndërhyhet nga bashkia dhe banorët për të kthyer situatën në normalitet

Lagjja Sede në qytetin e Përmetit është përballur me përmbytje të jashtëzakonshme. Edhe pse reshjet kanë ndaluar prej disa ditësh dhe po punohet për normalizimin e situatës, gjendja mbetet ende problematike. Si pasojë, disa shtëpi janë ende të pabanuara.
Përveç ndërhyrjeve nga ana e bashkisë për pastrimin e rrugëve dhe hapësirave publike, banorët po përpiqen edhe vetë të rikthejnë shtëpitë e tyre në gjendjen e mëparshme.
“Të bashkisë erdhën, të urgjencës erdhën. Jam 35 vite këtu dhe asnjëherë nuk kishte ndodhur kështu”, tha një banore.
“Shtëpitë në fillim të lagjes u prekën më shumë. Në disa banesa u fut ujë dhe baltë brenda. Strukturat e bashkisë dhanë ndihmën e duhur dhe po vazhdojnë të sistemojnë zonën. Jam banor në këtë lagje prej 20 vitesh dhe nuk mbaj mend përmbytje në këto përmasa”, u shpreh një banor.
Nga data 6 janar janë evakuuar katër familje nga lagjja Sede, pasi rreziku ishte tepër i lartë për shkak të prurjeve të mëdha të përroit të Lehuses.
/rtsh.al/