Aktivistë “Pro Familjes dhe jetës” protestojnë kundër trajtimit hormonal

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Aktivistë të koalicionit shqiptar “Pro Familjes dhe jetës” zhvilluan sot një protestë në sheshin “Skënderbej”, ku shprehën kundërshtimin e tyre ndaj trajtimeve hormonale për personat transgjinorë.
Gjatë tubimit, organizatorët dhe pjesëmarrësit mbajtën fjalime, duke paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me çështjen që motivoi protestën.
Aktivistja Linda Pano bëri thirrje për mbrojtjen e familjes dhe të drejtave të prindërve.
“Është përgjegjësia e prindit, detyra dhe e drejta e tij që të vendosë për fëmijën e vet. Çdo njeri tjetër që kërkon të ndërhyjë nuk ka të drejtë. Prandaj unë sot dua t’ju inkurajoj: qëndroni dhe luftoni! Sepse në qoftë se nuk luftoni ju për fëmijët tuaj, bota do të jetë e pamëshirshme për ta”, tha Pano.
Ndërsa kryetarja e Partisë Demokratike, Dega 9 në Tiranë, Eda Grimci u shpreh se “pa familje të fortë nuk ka komb, nuk ka atdhe. Është pikërisht kjo familje që na ka mbajtur të bashkuar, është pikërisht familja dhe rreziku që na kanoset që na bashkon sot në këtë shesh. Prandaj, kështu siç jemi të mos ndalemi, të mbrojmë familjet, të mbrojmë fëmijët, të mbrojmë kombin sepse familja shqiptare është në rrezik dhe nuk duhet ta lejojmë këtë gjë”.
Pas përfundimit të fjalimeve në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku vijuan të shprehin kërkesat dhe qëndrimet e tyre.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore dhe nën monitorimin e forcave të rendit.
1 nga 9/k.s/r.e/a.f/