Akuzohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, Benet Beci kërkon gjykim të shkurtuar

Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” ka kërkuar përmes avokatit të tij në seancën paraprake, gjykim të shkurtuar.
Bashkëshortja e ish kreut të ARRSH Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni nuk janë shprehur ende për formën e gjykimit.
Burime brenda seancës, bëjnë me dije se Gentjan Rumano avokati që mbron në këtë proces Adela Rukon është larguar nga salla e gjyqit për një proces tjetër dhe është gjobitur me 100 mijë lekë nga GJKKO.
Rumano u zëvendësua nga një avokate kryesisht, teksa ky i fundit është bërë shkak në të paktën dy seanca për shtyrjen e procesit gjyqësor.
Vetë kryetari i Bashkisë Shkodër nuk është i pranishëm në seancë.
Sipas SPAK, Beci ka shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik” me vlerw 96.5 milion lek. Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, pas sekuestrimit të provave materiale në banesën e Evis Berberit.
/rtsh.al/