E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri gjerman i Mbrojtjes akuzon Trumpin: E ka afruar Putinin si mikun e tij të ngushtë

Në përvjetorin e katërt të fillimit të luftës ruse në Ukrainë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius ka akuzuar presidentin amerikan Donald Trump se i është afruar presidentit rus Vladimir Putin si një “mik i ngushtë”.

Sipas Pistorius-it, gjatë samitit të gushtit të vitit të kaluar (2025) në Alaska, Trump e priti Putinin “si një shok” në qilim të kuq, ndërsa njëkohësisht hoqi plotësisht mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Ai shtoi se presidenti amerikan e hoqi herët nga tavolina e negociatave anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke e quajtur këtë një aspekt negociues që mund të përdorej për të negociuar gjëra të tjera.

Pistorius parashikoi se nuk do të ketë vendim vendimtar në fushëbetejë në të ardhmen e afërt. Ai theksoi se është shumë e rëndësishme të vazhdohet mbështetja për Ukrainën gjatë negociatave, sepse situata ekonomike në Rusi po përkeqësohet gjithnjë e më shumë.

“Kremlini duhet të arrijë në pikën ku lufta bëhet opsioni më i keq krahasuar me paqen. Por kjo nuk arrihet me dobësi, vetëm me forcë”, tha ai në intervistë për radion publike Deutschlandfunk.

Ndërkaq, kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për unitet evropian.

“Për katër vjet, çdo ditë dhe çdo natë ka qenë një makth për popullin ukrainas. Dhe jo vetëm për ta, por për të gjithë ne. Sepse lufta është kthyer në Evropë. Vetëm me forcë të bashkuar do ta mbarojmë. Sepse fati i Ukrainës është fati ynë”, shkroi Merz.

“Zëvendëskancelari Lars Klingbeil e përforcoi këtë qëndrim, duke thënë se “askush nuk dëshiron paqen më shumë se populli ukrainas. Ne mbetemi fort pranë Ukrainës në këtë rrugë.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›