E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzohet për korrupsion dhe shitje të lëndëve narkotike, arrestohet 64-vjeçari, do ekstradohet drejt Italisë

Një 64-vjeçar është arrestuar me qëllim ekstradimin në Itali. 64 vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Venecias e dënoi me burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si dhe për korrupsion.

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e tij drejt Italisë.

“Vihet në pranga një shtetas shqiptar, i akuzuar nga autoritetet italiane, për korrupsion dhe për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale dhe shkëmbimit të informacionit me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës, shërbimet e qarkullimit rrugor dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ndaluan me qëllim ekstradimin, shtetasin A. P.(P.), 64 vjeç.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Venecias i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për prodhim/shitje narkotikësh dhe korrupsion.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit A. P.(P.), në Itali”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›