E Premte, 6 Nëntor 2026

Akuzohet për posedim të materialeve pornografike me të mitur, arrestohet në SHBA babai i Meghan Markle. Rrezikon deri në 20 vite burg

Thomas Markle, babai i dukeshës së Sussex-it, Meghan Markle, është arrestuar në Florida dhe do të dalë para gjykatës federale amerikane, pasi është akuzuar për posedim të materialeve pornografike me të mitur.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë konfirmoi se 82-vjeçari është arrestuar dhe akuzohet për një vepër penale, lidhur me posedimin e materialeve që përmbajnë abuzim seksual ndaj fëmijëve. Sipas autoriteteve, Markle dyshohet se kishte ruajtur materiale të tilla, përfshirë fotografi eksplicite të vetes me vajza para moshës së pubertetit, në dy ambiente magazinimi në zonën e Los Anxhelosit, të cilat i kishte marrë me qira për gati dy dekada.

Gjatë kontrolleve në ambientet që Markle kishte marrë me qira që prej vitit 2008, agjentët sekuestruan rreth 78 materiale, mes tyre diapozitiva, negativë filmash dhe libra që dyshohet se përmbanin materiale të abuzimit seksual me fëmijë.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se autoritetet vepruan me shpejtësi për të identifikuar dhe sekuestruar materialet, duke bërë të mundur arrestimin e 82-vjeçarit në Florida. Ai theksoi se FBI-ja do të përdorë të gjitha burimet në dispozicion për të mbrojtur fëmijët dhe për të ndjekur penalisht këdo që kryen krime të tilla.

Ndërkohë, autoritetet në Baja California të Meksikës kanë konfirmuar se më 29 tetor ishte kryer edhe një kontroll në një magazinë pranë banesës së mëparshme të Markle në Rosarito, pas një telefonate në numrin e emergjencës 911. Gjatë operacionit u gjetën tri revista të vjetra dhe videokaseta VHS që përmbanin materiale pornografike me të mitur. Provat dhe dosja iu referuan Prokurorisë së Përgjithshme Federale të Meksikës për vijimin e hetimeve.

Thomas Markle i ka mohuar më herët me forcë akuzat se kishte poseduar imazhe të abuzimit seksual me fëmijë, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra të neveritshme”.

Ai pritet të dalë për herë të parë para një gjykate federale në Tampa të Floridës, ku do të shqyrtohet çështja e tij dhe mund të mësohet nëse do të qëndrojë në paraburgim apo do të lirohet me kusht.

Nga ana tjetër, Meghan Markle dhe bashkëshorti i saj, princi Harry, nuk kanë bërë ende asnjë koment publik për arrestimin e babait të dukeshës. Muajin e kaluar, Meghan konfirmoi se në vitin 2019 kishte marrë një letër nga policia britanike, e cila përmbante akuza shqetësuese lidhur me të atin.

Akuza ndaj babait të Meghan Markle, rrezikon deri në 20 vite burg

Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DoJ) ka bërë të ditur se Thomas Markle Sr është akuzuar për një vepër penale, atë të posedimit të materialeve pornografike me të mitur.

Nëse shpallet fajtor, Markle përballet me një dënim maksimal ligjor prej 20 vitesh burg në një burg federal, sipas Departamentit të Drejtësisë.

Ai pritet të dalë për herë të parë para Gjykatës së Distriktit të Shteteve të Bashkuara për Distriktin e Mesëm të Floridës, në Tampa.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›