Alarmet për dronë në vendet Baltike, Von der Leyen akuzon Moskën se po përpiqet të destabilizojë demokracitë evropiane

Nga Lituania, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen akuzoi Moskën se po përpiqet të destabilizojë demokracitë evropiane duke shkaktuar alarmet e fundit për dronë në ato vende. Von der Leyen iu referua ngjarjeve të një jave më parë, kur autoritetet lituaneze iu kërkuan qytetarëve t’u drejtoheshin vendstrehimeve pasi ekzistonte mundësia që hapësira ajrore e vendit të shkelej dronët.
“Banorët në vendet baltike kanë përjetuar atë që shumë besonin se i përkiste një epoke tjetër. Alarme për sulme ajrore, familje që strehohen, mbyllje shkollash, ndërprerje transporti. Ky është realiteti në kufirin lindor të Evropës në vitin 2026. Këto nuk janë incidente të izoluara. Kjo është një strategji e qëllimshme nga Rusia, që përpiqet të destabilizojë shoqëritë tona demokratike. Por, shumë ngjashëm me fushat e betejës së Ukrainës, Rusia po dështon”, u shpreh Von der Leyen.
Përkrah presidentëve të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, Von der Leyen pranoi se vala e alarmeve të sulmeve ajrore kishte ekspozuar dobësi në mbrojtjen e kontinentit.
“Atë që po e përjetoni ju sot, pjesa tjetër e Evropës mund të përballet nesër. Do të shtojmë përpjekjet për të trajtuar problemin duke filluar me sisteme më të unifikuara alarmi dhe koordinim të përmirësuar ndërkufitar“, tha ajo.
Alarmet me dronë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta muajt e fundit në shtetet baltike, ndërsa Ukraina ka intensifikuar sulmet kundër objektivave ruse. Vendet baltike akuzojnë Rusinë për devijim të qëllimshëm të sulmeve ukrainase që synojnë të godasin objektet industriale dhe infrastrukturën e karburanteve fosile.
/rtsh.al/