Alban Skënderaj tregon udhëtimin drejt Italisë në 1997: Ishim 450 persona në anija, rrezikova dy herë të bija në det

Alban Skënderaj është sot një ndër këngëtarët e mirënjohur dhe më të dashur ne vend, e ndonëse sot është në majën e suksesit, rrugëtimi për të nuk ka qenë aspak i lehtë.
Në Podkast me kryeministrin Edi Rama, Alban Skënderaj ka treguar udhëtimin e vështirë drejt Italisë në vitin 1997, kur ai ishte vetëm 15 vjeç. Këngëtari tregon se ai hipi në një anije me 450 persona në bord, kur në fakt kapaciteti ishte 80.
“Nuk kisha mbushur 15 vjeç kur kam ikur. Ishin vitet e trazuara kur edhe prindërit ndoshta nuk kishin shumë kohë që të na dedikoheshin sepse duhej të sajoheshin të mbijetonin dhe kurioziteti i një adoleshenti ishte të shihte çfarë ndodh. Ika atëherë pa lejen e babait, i thash mamit që do iki, por mos i thuaj babit. I tash që do iki se jam kurioz dhe do kthehem. Ika në mars të 1997, atje ishte një nga anijet që kishte 3 ditë që ishte mbushur dhe po nisej. Ajo ishte anija që kishte 80 veta kapacitete dhe aty ishin 450. Ishte një gjë e frikshme, por me kurajën e një fëmije nuk i mendoj këto gjëra.
Ne na ndodhi diçka rrugës që u prish timoni i anijes dhe gjithë Otranton e bëri zigzag. Ishte dramatike sepse aty kishte edhe njerëz që ishin nga bota e krimit. Ne që ishim fëmije u fshehëm poshtë, aty ku hynte me zor një person, ne hynim tre. Rrugës unë nja dy herë për pak rashë dhe nëse do bija nuk do i bënte njeriu përshtypje. Ishte natë dhe më ndihmoi një djalë që të mos bija. Kur filluam të afroheshim brigjeve, erdhën autoritete italianë, ndaluan për të na dhënë ushqim dhe ajo ishte fatale sepse ata që ishin poshtë dolën lart, anija shkonte sa majtas, djathtas dhe filloi të merrte ujë nga poshtë dhe anija u mbyt. Mbaj mend që na futën në një luftarake, nga ku udhëtuam edhe disa orë të tjera dhe gjithsej shkoi rreth 20 orë. Pastaj na çuan në një kamp. Të gjitha i kam parë aty, edhe veçorinë e shqiptarit, por edhe kurajën, shpresën. 2 javët e para nuk kam pasur kontakt me familjen”, tha Alban Skënderaj.
/rtsh.al/