E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleanca Shqiptaro-Kroate – Dodik thërret takim urgjent me Vuçiçin, “Bota Serbe të mblidhet”

Udhëheqësit serbë po e shohin me dyshim bashkëpunimin ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Milorad Dodik ka deklaruar hapur se kjo aleancë mes Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës është një kërcënim i drejtpërdrejtë për Republikën Srpska. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai konfirmoi se në mbledhjen e partisë së tij u diskutua me shqetësim ndikimi i këtij bashkimi forcash.

Dodik u shpreh prerë se “kjo aleancë përbën një rrezik real për stabilitetin e tyre”, ndaj ka thirrur menjëherë një takim urgjent me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Qëllimi i kësaj tryeze është koordinimi i një qëndrimi të përbashkët dhe marrja e vendimeve të forta për të mbrojtur interesat serbe. Edhe anëtari i Komitetit të Mbrojtjes në Serbi, Srna Kovaç, ka mbështetur këtë shqetësim duke e cilësuar rrezikun si diçka konkrete. Kovaç hodhi idenë e një kundërpërgjigjeje diplomatike, duke deklaruar se “në këtë tryezë mund të ftojmë edhe Hungarinë për t’u rreshtuar në anën e tyre”.

Tensionet diplomatike po rriten me shpejtësi, ndërsa udhëheqësit serbë kërkojnë të mobilizojnë të ashtuquajturën “Bota Serbe” kundër fqinjëve të tyre. E gjithë lëvizja synon të ndalojë atë që ata e quajnë zgjerim të ndikimit ushtarak të Shqipërisë dhe aleatëve të saj në rajon.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›