Macron në Japoni për energjinë – Parisi dhe Tokio rrisin bashkëpunimin për krizën dhe sigurinë

Tensionet mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara për luftën në Lindjen e Mesme kanë shtyrë presidentin Emmanuel Macron të intensifikojë vizitat në Azi. Në këtë kuadër, ndalesa kryesore ishte Japonia, ku ai zhvilloi takime të rëndësishme në Tokio me kryeministren Sanae Takaichi.
Të dy palët ranë dakord për të rritur koordinimin lidhur me tensionet në Iran. Japonia, e cila siguron pjesën dërrmuese të naftës nga Lindja e Mesme, po përdor tashmë rezervat e saj për të shpëtuar ekonominë nga kriza. Takaichi deklaroi se “bashkëpunimi strategjik me Francën në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ekonomike është bërë sot më i rëndësishëm se kurrë”.
Nga ana e tij, Macron vuri theksin te liria e lëvizjes në Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar këtë kanal si jetik për mbarë botën. “Ne mbrojmë kthimin në paqe, armëpushimin dhe hapjen e lundrimit, duke respektuar pikë për pikë të drejtën ndërkombëtare”, nënvizoi presidenti francez gjatë konferencës së paërbashkët.
Kreu i Elizesë nuk la pa përmendur as mbështetjen që Japonia u ka dhënë evropianëve që prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë. Ky unitet i ri vjen në një kohë kur konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e pestë, duke goditur rëndë tregjet globale. Rritja e çmimit të energjisë po detyron fuqitë e mëdha të kërkojnë aleanca të reja për të shmangur një kolaps ekonomik në shkallë globale.
/rtsh.al/