Aleanca e Grave: Të ndalohet qarkullimi i monopatinave dhe skuterave elektrikë në Tiranë

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Aleanca e Grave Këshilltare Bashkiake të Tiranës i propozoi këshillit bashkiak të Tiranës, që monopatinat dhe skuterat elektrikë të ndalohen të qarkullojnë në sheshet publike dhe pedonalet e Tiranës.
Kryetarja e Aleancës së Grave Këshilltare Bashkiake të Tiranës, Silda Cepe Anagnosti tha se, “ky është propozimi që Aleanca e Grave Këshilltare Bashkiake të Tiranës, të cilën kam nderin ta drejtoj, do t’i propozojë Këshillit Bashkiak të Tiranës, këtë nismë, duke marrë shkas nga diskutimet e sotme në forumin e thirrur për këtë qëllim”.
Në forum morën pjesë përfaqësues të prindërve, shkollave, Policisë Bashkiake, Policisë së Shtetit, si dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi.
Në forum u diskutua gjithashtu për nevojën e një fushate të gjerë sensibilizimi me përdoruesit e këtyre mjeteve dhe prindërit e fëmijët.
Gjithashtu, u theksua nevoja për rregullime të tjera ligjore për disiplinimin e përdorimit dhe qarkullimit me këto mjete.
1 nga 9/r.e//a.f/