E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Brazili kundërpërgjigjet ndaj tarifave amerikane, pasi Trump kërcënon me një taksë prej 50%

RIO DE ZHANEIRO, 10 korrik /ATSH/ – Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva ka thënë se është gati të kundërpërgjigjet ndaj çdo tarife të vendosur ndaj Brazilit nga Shtetet e Bashkuara, sipas BBC.

Lula iu përgjigj kërcënimit të djeshëm nga homologu i tij amerikan, Donald Trump, për të vendosur një taksë prej 50% mbi mallrat braziliane nga 1 gushti.

Në një letër, Trump përmendi trajtimin e Brazilit ndaj ish-presidentit Jair Bolsonaro si një shkak për rritjen e tarifave.

Bolsonaro është aktualisht në gjyq për dyshimin se është përpjekur të organizojë një grusht shteti kundër Lulës pasi u mund prej tij në zgjedhjet e vitit 2022.

Trump iu referua Bolsonaros si “një udhëheqës shumë i respektuar në të gjithë botën”.

“Ky gjyq nuk duhet të zhvillohet”, shkroi ai, duke i bërë thirrje Brazilit që të përfundojë menjëherë “gjuetinë e shtrigave” kundër ish-presidentit.

Mbështetja e Trump për Bolsonaron nuk vjen si surprizë pasi të dy presidentët janë konsideruar prej kohësh aleatë.

Kundërshtimi i Lulës mbështetet nga të dhënat e qeverisë amerikane, të cilat sugjerojnë se SHBA-të kishin një suficit tregtar mallrash me Brazilin prej 7,4 miliardë dollarësh në vitin 2024.

Brazili është partneri i 15-të më i madh tregtar i SHBA-së dhe ndër importet e saj kryesore nga SHBA-ja janë lëndët djegëse minerale, avionët dhe makineritë.

Nga ana e saj, SHBA-të importojnë gaz dhe naftë, hekur dhe kafe nga Brazili./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›