E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleati i Dodik fiton zgjedhjet, Sinisha Karan pritet të jetë presidenti i ri i Republikës Serbe të Bosnjes

Me rreth 50.9% të votave, sipas rezultateve paraprake të shpallura nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnje e Hercegovinës, Sinisha Karan nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur dhe aleati i ngushtë i presidentit të shkarkuar Milorad Dodik fitoi zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Republikën Serbska.

“Kandidati ynë kryeson dukshëm”- u shpreh Dodik pas numërimit të votave duke shpallur fitoren e Karan.

Sipas KQZ-së, kundërshtari i tij nga Partia Demokratike Serbe, Branko Blanusha mori 47.81 për qind të votave, por partia kryesore e opozitës në entitetin serb të Bosnjës pretendon mashtrim.

“Ne nuk e pranojmë dhe  njohim fitoren e tyre, sepse rezultatet e zgjedhjeve tregojnë një situatë krejtësisht ndryshe” tha Jovica Radulovic, president në detyrë i Partisë Demokratike Serbe.

“Të dhënat nga terreni, bazuar në të gjitha qendrat e votimit të numëruara, konfirmojnë se në Republikën Srpska ndodhi një tjetër mashtrim i madh zgjedhor” u shpreh ai, duke shtuar se pavarësisht kësaj është i kënaqur me rezultatin e arritur.

“Jam absolutisht i sigurt se, pa manipulimin zgjedhor do të isha në gjendje të shpallja fitoren në zgjedhje”- deklaroi ai.

Në zgjedhjet e së dielës morën pjesë rreth 35.7% e 1.2 milionë qytetarëve me të drejtë vote. Entiteti i serbëve të Bosnjes shkoi në zgjedhje të parakohshme pas shkarkimit të Dodikut, i cili u dënua për moszbatim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili mbikëqyr zbatimin e  Marrëveshjes së Dejtonit të ndërmjetësuar nga SHBA, që i dha fund luftës së viteve 1992-’95.

Pas shpalljes së rezultateve zyrtare, Sinisha Karan do të mund të drejtojë Republikën Sërbska për më pak se një vit, pasi në tetor të vitit të ardhshëm mbahen zgjedhjet e përgjithshme në entitetin e serbëve të Bosnjes.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›