Alergjitë stinore, mjekët apelojnë për kujdes dhe konsultë me specialistët

Me ardhjen e pranverës është vënë re një rritje e numrit të pacientëve që kërkojnë shërbim mjekësor në Spitalin Rajonal të Kukësit për shkak të alergjive stinore.
Ndryshimet e motit dhe përhapja e polenit gjatë kësaj periudhe ndikojnë drejtpërdrejt në shfaqjen e simptomave alergjike te qytetarët.
“Rastet e gripit, e virozave stinore janë të ulëta, janë drejt përmirësimit, por vihet re një shtim i rasteve të alergjisë. Nuk ka dallim të grupmoshave për alergjitë. Teshtitja me lot në sy, të kruajtura. Pra, afërsisht janë të njëjta, ndërsa temperatura është karakteristike e virozës”, thekson mjeku Besnik Lleshi.
Mjeku Besnik Lleshi pohon se pothuajse të gjitha grupmoshat paraqiten me probleme të lidhura me alergjitë stinore.
Mjeku Besnik Lleshi pohon se pothuajse të gjitha grupmoshat paraqiten me probleme të lidhura me alergjitë stinore.
“Gjithmonë do t’ju sugjeroja kontaktin e parë me mjekun e familjes, që mund t’i përballojë mrekullisht mjekët e familjes”, thotë Lleshi.
Sipas tij, në këtë periudhë, pavarësisht luhatjeve të temperaturave, situata e rasteve gripale është në përmirësim krahasuar me muajt e dimrit. Në javët në vijim pritet rritje e numrit të pacientëve që vuajnë nga alergjitë.
Për këtë arsye, ata rekomandojnë që qytetarët të kryejnë konsultime me mjekët specialistë, por edhe me mjekët e familjes pranë qendrave shëndetësore, për të marrë trajtimin e duhur dhe për të shmangur komplikacionet.
Për personat e prekur nga alergjitë stinore, mjekët rekomandojnë kryesisht përdorimin e medikamenteve antialergjike dhe shmangien e faktorëve që mund të përkeqësojnë simptomat.
Të dhënat nga Spitali Rajonal i Kukësit tregojnë se çdo ditë, si në repartin pediatrik ashtu edhe tek të rriturit, marrin shërbim mjekësor rreth 30 pacientë të prekur nga gripi dhe alergjitë stinore.
/rtsh.al/