Ambasada gjermane mbështet protestën e shoqërisë civile: Kosova ka nevojë për Kuvend funksional

PRISHTINË, 25 qershor/ATSH/ Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka mbështetur protestën e sotme të shoqërisë civile për shkak të shtyrjeve të formimit të legjislaturës së nëntë pas më shumë se katër muaj të mbajtjes së zgjedhjeve në vend.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada gjermane thotë se Kosovës i duhet një Kuvend funksional, një kryetar i zgjedhur dhe një qeveri që jep për të gjithë qytetarët e saj.
“I japim jehonë mesazhit të fortë të shoqërisë civile: Kosovës i duhet një Kuvend funksional, një kryetar i zgjedhur dhe një qeveri që jep – për të gjithë qytetarët e saj. Siç ka theksuar edhe ambasadori (Jorn) Rohde vazhdimisht: vendi i pari, politika partiake e dyta. Është përgjegjësi kolektive e të gjithë deputetëve dhe partive të zgjedhura të tregojnë lidership, të angazhohen në dialog kuptimplotë dhe kompromis në frymën e Kushtetutës. Mandatet demokratike vijnë me llogaridhënie. Le të ecim përpara – për stabilitet, për progres dhe për popullin.”
Sot për tridhjeteshtatën herë ka dështuar formimi i Kuvendit, pasi Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk po i kanë votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare.Grupi parlamentar i AAK-së ka dërguar për interpretim në Kushtetuese mënyrën e fshehtë të votimit që po kërkojnë Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.
Vazhdimi i tridhjetetetë i seancës konstituive do të mbahet ditën e premte, më njëzeteshtatë qershor dymijenjëzetepesë, duke filluar nga ora njëmbëdhjetë. /KosovaPress/