E Martë, 3 Nëntor 2026

HAGË – Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në NATO, fitore monumentale për Trump

HAGË, 25 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump përshëndeti sot vendimin e aleatëve të NATO-s për të shpenzuar 5% të produktit të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtje dhe shpenzime të lidhura me të deri në vitin 2035 – duke e quajtur atë një sukses të madh personal.

“Është një fitore monumentale për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ne po mbanim një barrë më të madhe sesa na takonte”, tha Trump pas samitit të aleancës, në Hagë.

“Kjo është siguria e Evropës, siguria e botës”, tha presidenti amerikan.

Udhëheqësit e NATO-s u zotuan të dyfishojnë shpenzimet ushtarake për të financuar programin më të madh të riarmatimit të aleancës perëndimore të mbrojtjes që nga Lufta e Ftohtë, mes shqetësimeve se Moska mund të jetë gati të sulmojë një vend të NATO-s brenda pak vitesh.

“Ne duhet ta marrim seriozisht kërcënimin që paraqet revizionizmi militant i Rusisë dhe duhet të kujtojmë se mund të mbrohemi vetë”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz pas samitit.

Në një deklaratë të miratuar në takimin dyditor, aleatët u zotuan të investojnë 5% të PBB-së çdo vit – në kërkesat thelbësore të mbrojtjes deri në vitin 2035 – në kuadër të kërcënimeve dhe sfidave të mëdha të sigurisë, në veçanti kërcënimit afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike dhe kërcënimit të vazhdueshëm të terrorizmit.

Aleatët do të shpenzojnë 3,5% të PBB-së çdo vit për kërkesat thelbësore të mbrojtjes, të tilla si armët dhe trupat, dhe 1,5% shtesë për shpenzimet përkatëse, duke përfshirë infrastrukturën dhe inovacionin.

“Aleatët bien dakord të paraqesin plane vjetore që tregojnë një rrugë të besueshme dhe graduale për të arritur këtë qëllim”, thuhet në deklaratë.

Sipas marrëveshjes, trajektoreja dhe balanca e shpenzimeve do të rishikohet në vitin 2029. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›