E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja e BE-së takon Brahon: Puna e SPAK, thelbësore për shtetin e së drejtës

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, ka rikonfirmuar mbështetjen e BE-së për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke e cilësuar punën e saj si thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në vend.

Gjatë takimit të saj të parë me drejtuesin e SPAK-ut, Klodjan Braho, ambasadorja Moreira de Sousa theksoi rëndësinë e një institucioni të pavarur dhe efikas në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

“Rikonfirmova mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të BE-së për një SPAK të pavarur dhe efikas. Puna e SPAK-ut kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë është thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, u shpreh ambasadorja e BE-së.

Ajo nënvizoi gjithashtu se arritja e rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një nga elementët kyç në procesin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Arritja e mëtejshme e rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një element kyç i përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE,” tha ajo.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›