Amnisti penale në Kuvend/ Gogu: Rreth 380 të dënuar pritet të lirohen, përjashtohen krimet e rënda

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka prezantuar në Komisionin për Çështjet Ligjore projektligjin “Për Dhënie Amnistie”, i cili parashikon lirimin dhe uljen e dënimeve për një kategori të caktuar të dënuarish.
Sipas projektligjit, rreth 380 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm, ndërsa rreth 900 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Ministri theksoi se masa synon lehtësimin e sistemit penitenciar dhe riintegrimin e të dënuarve me rrezikshmëri të ulët.
Në prezantimin e tij, Gogu sqaroi se amnistia nuk prek veprat penale të rënda. Përjashtohen kategorikisht personat e dënuar për korrupsion, krim të organizuar, terrorizëm, trafikim, pastrim parash, krime seksuale, si dhe çështjet që janë në juridiksionin e SPAK dhe GJKKO.
“Ky nuk është ligj për të harruar krimin, por për të dalluar mes rasteve që paraqesin rrezik për shoqërinë dhe atyre ku qëllimi i dënimit është arritur”, u shpreh ministri.
Sipas projektligjit, përfitues janë:
- Burrat me dënim deri në 3 vite ose me më pak se 3 vite të mbetura
- Gratë me dënim deri në 4 vite ose me më pak se 4 vite të mbetura
- Personat mbi 60 vjeç (burra) dhe mbi 50 vjeç (gra)
- Të miturit që kanë qenë nën 18 vjeç në momentin e kryerjes së veprës penale
Parashikohet gjithashtu ulje dënimi me 1 vit për burrat dhe 1.5 vite për gratë dhe të miturit që nuk përfitojnë lirim të menjëhershëm.
Ministria e Drejtësisë thekson se amnistia pritet të ndikojë edhe në uljen e mbipopullimit në burgje, të cilat aktualisht kanë kapacitet rreth 5,292 vende dhe strehojnë mbi 4,700 të dënuar.
Projektligji pritet të vijojë diskutimin në komisione parlamentare përpara kalimit për votim në seancë plenare.