Analizimi i ushqimit në kopshtin e Gramshit, AKU: Produktet të pastra nga salmonela

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi sot lidhur me analizat e kryera për produktet ushqimore të marra në kopshtin Nr. 1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë, pas konstatimit të ushqimit të kontaminuar, që bëri që disa fëmijë të helmohen dhe të paraqiten me urgjencë në spital me simptoma shëndetësore shqetësuese.
Në një njoftim për shtyp, AKU thekson se, “në kuadër të transparencës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon ndjekjen e procedurave ligjore dhe informimit të publikut, lidhur me kampionaturat e marra në produktet ushqimore lëndë e parë në kopshtin Nr .1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë, të cilat u dërguan për analizim për treguesin Salmonella spp pranë Laboratorit të Referencës në ISUV”.
AKU informon se, për mostrat e dërguara për analizim për produktet lëndë e parë qumësht dhe kofshë pule, të kampionuara nga DRAKU Elbasan, si dhe produktet qumësht, kofshë pule, vezë e kampionuar nga DRAKU Tiranë, kanë rezultuar të pastër për treguesin Salmonella spp.
Ndërsa për produktin vezë kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshë pule kampionuar nga DRAKU Tiranë, analizimi është ende në proces.
AKU njofton se, do të vijojë me informimin e mëtejshëm të publikut, sapo të ketë informacione mbi rezultatin e analizave të tjera. /j.p/