E Martë, 3 Nëntor 2026

Vlora dhe Lezha kampione të edicionit të 3-të të Ekipeve Sportive për shkollat e mesme në basketboll

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Ekipi i qarkut të Vlorës në basketboll për vajza dhe ekipi i djemve i qarkut të Lezhës u shpallën kampionë të Edicionit të 3-të të Ekipeve Sportive për shkollat e mesme.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishte e pranishme në ndeshjet finale.

“Urime kampionëve në basketboll për vajza dhe djem të shkollave të mesme dhe të gjitha skuadrave pjesëmarrëse. Shumë emocione dhe shpirt gare në ndeshjet finale të Kampionatit të Ekipeve Sportive, ku vajzat e Sarandës, pjesë e ekipit të Qarkut të Vlorës u shpallën kampione në basketboll, pas një ndeshjeje të fortë me Tiranën”, tha Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.

Ndërsa për djem, tha Manastirliu, triumfoi qarku i Lezhës, pas një ndeshjeje të luftuar deri minutën e fundit përballë djemve të qarkut të Vlorës.

Kampionati i Ekipeve Sportive në shkolla, një bashkëpunim i MAS dhe KOKSH, ka rikthyer masivisht frymën sportive tek të rinjtë.

Në programin e ekipeve sportive në shkolla janë angazhuar më shumë se 12 mijë fëmijë, 800 ekipe të basketbollit dhe volejbollit për vajza e djem dhe më shumë se 400 mësues të edukimit fizik.

1 nga 12

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›