E Diel, 1 Nëntor 2026

Anis Mehmeti mes rinovimit me Bristol City dhe interesimit nga Premier League e Ligue 1

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Bristol City ka konfirmuar se i ka ofruar një kontratë të re Anis Mehmetit, por e ardhmja e sulmuesit të Kombëtares shqiptare mbetet ende e hapur, teksa ai po monitorohet edhe nga klube të Premier League dhe Ligue 1.

CEO i Bristol City, Tom Rawcliffe, bëri të ditur se bisedimet me Mehmetin, ashtu si edhe me Zak Vyner dhe Mark Sykes, janë në zhvillim e sipër dhe “gjërat po ecin përpara”.

Kontrata aktuale e Mehmetit skadon në fund të sezonit të Championship-it, ndërsa klubi i ka bërë tashmë ofertën zyrtare për rinovim.

Megjithatë, sipas raportimeve nga mediet britanike, paraqitjet e mira të 24-vjeçarit këtë sezon kanë tërhequr interes konkret nga disa skuadra të elitës angleze dhe nga kampionati francez, Ligue 1.

Këto oferta e bëjnë më të ndërlikuar mbylljen e marrëveshjes në këtë fazë, pavarësisht dëshirës së Bristol City për ta mbajtur në “Ashton Gate”.

Mehmeti ka qenë një nga lojtarët kyç të skuadrës nën drejtimin e Gerhard Struber, duke fituar një rol të rëndësishëm në formacion dhe duke rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg.

Klubi pritet të vijojë negociatat në javët në vijim, ndërsa vendimi final i lojtarit do të varet nga projekti sportiv dhe ofertat konkrete që do të formalizohen.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›