E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta largon sulmuesin Sebastian Zela, peruani zero gola në Durrës

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Klubi i Teutës vijon riorganizimin e skuadrës gjatë merkatos së dimrit, duke zyrtarizuar një tjetër largim.

Pas ndarjes me Arbër Çyrbjen, durrsakët kanë ndërprerë bashkëpunimin edhe me sulmuesin peruan Sebastian Gonzales Zela.

Përmes një njoftimi zyrtar, klubi blu bëri të ditur përfundimin e marrëveshjes me lojtarin 26-vjeçar.

“KF Teuta njofton përfundimin e bashkëpunimit me lojtarin Sebastián Gonzales Zela. Klubi e falënderon lojtarin për kontributin e dhënë dhe i uron shumë suksese në vazhdim të karrierës”, thuhet në njoftim.

Zela rezultoi një zhgënjim në dy fazat e para të kampionatit. Sulmuesi nuk arriti të shënonte asnjë gol me fanellën e Teutës, pavarësisht 628 minutave të aktivizuara.

Në javët e fundit ai kishte humbur edhe vendin në formacion, duke përfunduar shpesh në stol, një sinjal i qartë se nuk ishte më në planet e stafit teknik të “Djemve të Detit”.

Me këtë largim, Teuta pritet të ketë më shumë hapësira për afrime të reja në repartin ofensiv, me synimin për të përmirësuar rendimentin në gjysmën e dytë të sezonit.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›