E Premte, 6 Nëntor 2026

Anketa e Shoqatës së Investitorëve të Huaj: Perceptime pozitive për klimën e biznesit dhe gjyqësorin

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Confindustria Albania, Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri, Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri, prezantuan gjetjet e anketës “Për Mjedisin e Biznesit në Shqipëri 2024”, e cila u realizua gjatë muajve gusht-tetor të këtij viti, përmes përfshirjes së komunitetit të investitorëve të huaj në vend.

Të anketuarit kryesorë të këtij sondazhi ishin bizneset e huaja të rëndësishme në Shqipëri, në sektorët e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, industrive të rënda dhe minierave, energjisë dhe mjedisit, shërbimeve financiare, tregtisë, logjistikës, turizmit, shërbimeve konsulente etj.

Në takimin e mbajtur për prezantimin e rezultateve ishin të pranishëm Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj si dhe shefi i bashkëpunimit nga delegacioni i BE-së në Shqipëri, Hubert Perr.

Përfundimet e anketës 2024 për të bërit biznes në Shqipëri, u krahasuan me gjetjet e anketës së vitit të kaluar.

Këtë vit, perceptimi i përgjithshëm i klimës së biznesit shfaq ndryshime pozitive të vogla krahasuar me vlerësimin e klimës së biznesit gjatë vitit 2023.

Konkretisht, investitorët e huaj vlerësojnë situatën aktuale të të bërit biznes në Shqipëri me 49 nga 100 pikë, me një rritje prej 3 pikësh krahasuar me vitin 2023 (46 pikë), megjithatë nuk arrijnë të kalojnë mesataren në shkallën e e favorizimit.

Kur shikohen pritshmëritë për klimën e biznesit në të ardhmen, arrijnë të njëjtin rezultat si vitin 2023, me 52 pikë nga 100, edhe në vitin  2024.

Në aspektin e situatës makroekonomike globale  dhe kombëtare, investitorët e huaj konsiderojnë “zhvlerësimin aktual të euros dhe ndikimin e tij në biznesin e tyre”, si edhe “ndikimin e normës së lartë aktuale të inflacionit”, si dy çështjet më të rënda me ndikim në biznesin e tyre, me një ulje të vogël në shkallën e intensitetit, krahasuar me anketën e vitit 2023.

Duke parë faktorët e brendshëm, përfaqësuesit e biznesit besojnë se ka një rritje të nivelit të burokracisë me të cilën përballen.

Rendi dhe siguria janë dimensionet me performancë më të mirë në këtë kategori, ku 33% përgjigjen që përballen me probleme në këtë drejtim, megjithatë, intensiteti i këtyre problemeve është vlerësuar me 61 pikë nga 100 në të njëjtën shkallë.

Për më tepër, mbi 63% e të anketuarve besojnë se qeveria nuk është transparente në një nivel të mjaftueshëm ndaj biznesit të tyre. Kur mendohet për të bërë biznes në Shqipëri, vihet re një përmirësim  prej 7 pikësh për klimën politike shqiptare, e konsideruar si problematike me 49 pikë, krahasuar me 56 në vitin 2023, në shkallën e intensitetit.

Gjyqësori shqiptar, nga ana tjetër, ka marrë 55 pikë, me një rritje prej 12 pikësh, krahasuar me 43 pikë në vitin 2023.

Seksioni i furnizimit me energji në sondazhin e vitit 2024 sheh një përmirësim të përgjithshëm në krahasim me vitin 2023, me të gjitha  dimensionet që nuk e kalojnë vijën e mesme  të  intensitetit në  shkallën e vlerësimit.

Situata nuk duket shumë pozitive kur vlerësohet sistemi tatimor në vend, me vetëm 3 dimensione nga 9 të vlerësuara  që  kalojnë  pak  mesataren  e  intensitetit  në  shkallën  e  vlerësimit.  Konkretisht,  “frekuenca  e ndryshimeve të legjislacionit dhe praktikave tatimore dhe ndikimi i tij në biznes” (55 pikë), “rëndësia dhe qartësia e vendimeve / interpretimeve të lëshuara nga autoritetet tatimore dhe ndikimi i tyre në biznes” (51 pikë), dhe “niveli i ndërlidhjes/ komunikimit ndërmjet platformave / institucioneve qeveritare të ndryshme” (51 pikë).

Kur shikojmë marrëdhëniet me institucionet shqiptare, edhe pse vetëm 1 dimension kalon vijën e mesme në shkallën e intensitetit (kapacitetet e institucioneve, vendore apo qendrore, si edhe niveli i ekspertizës së zyrtarëve publikë, në kryerjen e funksioneve të tyre, me 56 pikë), ka një ulje të vogël të performancës së përgjithshme në këtë drejtim, në pothuajse në të gjitha dimensionet e vlerësuara.

Situata në lidhje me tregun e punës në Shqipëri është sërish ndër dimensionet më të dobëta të vlerësuara nga investitorët e huaj, konkretisht kur bëhet fjalë për rritjen e pagave në vend, që ka marrë 65 pikë në shkallën e intensitetit, një rritje prej 21 pikësh krahasuar me 44 pikë në vitin 2023.

Gjithashtu, kur shihet aksesimi i fuqisë punëtore të kualifikuar / të trajnuar dhe ndikimi i saj në biznes, ajo ka marrë 74 pikë, 5 pikë më shumë krahasuar me 69 pikët e vitit 2023.

Situata në lidhje me strategjitë dhe stimujt probiznesit ndihet në rastin më të mirë “e vakët”, me investitorët e huaj që vlerësojnë ndikimin e reformave dhe politikave ekonomike shqiptare ndaj biznesit të huaj me 48 pikë (rritje e lehtë me 1 pikë krahasuar me vitin 2023), po ashtu vlerësimi i politikave dhe stimujve për nxitjen e investimeve është 45 pikë (ulje e lehtë me 2 pikë, krahasuar me vitin 2023).

Investitorët e huaj nuk presin ndryshime të mëdha në ekonominë shqiptare në vitin e ardhshëm, duke marrë 55 pikë në një shkallë ku 0 = dobësohet ndjeshëm dhe 100 = përmirësohet ndjeshëm.

Kjo pasohet nga një optimizëm i vogël për rritjen e xhiros së biznesit, e cila pritet të rritet në masën 60 pikë në një shkallë ku 0 = ulet ndjeshëm dhe 100 = rritet ndjeshëm.

/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›