E Premte, 6 Nëntor 2026

Manjani: 290 mijë kontribues në skemën e sigurimeve, sistem inteligjent për luftën ndaj informalitetit gri

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Zv/ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani shpjegoi sot gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se në skemën e sigurimeve shoqërore nga viti 2013 janë shtuar 290 mijë kontribues, dhe kjo falë reformës së vitit 2014.

“Një problematikë që është adresuar me reformën e 2014 ishte edhe informaliteti. Në atë periudhë kishim informalitet shumë të lartë. Gjatë këtyre viteve janë shtuar në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore 290 mijë kontribues. Kjo është një shifër e rëndësishme për të kuptuar se këta 290 mijë kanë qenë të punësuar në subjekte private, por edhe kontribues të rinj, të cilët nuk paguanin kontribute kundrejt skemës së sigurimeve dhe ishte një problem i madh. Problemi me të cilin përballemi sot është edhe më sfidues, sepse nuk bëhet fjalë për mospagesa të kontributeve të sigurimeve, por mospagesat e tyre bazuar në pagën reale dhe për këtë arsye edhe në këtë kontekst po ndërmerret një tjetër reformë brenda reformës që ka të bëjë me luftën kundër informalitetit gri”, deklaroi Manjani.

Sipas saj, po krijohet një sistem digjital që të identifikohen përmes inteligjencës artificiale këto subjekte private, të cilat deklarimet e pagave të punonjësve të tyre, për efekt të pagesave të kontributeve shoqërore i bëjnë mbi një pagë minimale edhe pse paga e paguar në formë informale mund të jetë më e lartë.

“Kjo është shumë e vështirë të llogarisësh efektin për aq kohë sa s’ka vlerësim të masës së informalitetit. Ajo që dimë ne është identifikimi i sektorëve ku kjo ndodh rëndomtë. Nëse paga mesatare në Shqipëri është 76 mijë lekë dhe dy nga sektorët që kanë kontributin më të lartë dhe vlerën e shtuar më të lartë në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto janë ndërtimi dhe turizmi, rezulton që në këta dy sektorë paga mesatare është më e ulët se paga mesatare për gjithë ekonominë, e cila nuk bën sens, për shkak se janë dy sektorët me produktiv të ekonomisë për momentin”, u shpreh zv.ministrja.

Ajo informoi se së bashku me një ekip të ILO-s po punohet të bëhet një vlerësim të masës së informalitetit dhe cili do të ishte efekti në rritjen e të ardhurave.
“Vetëm në muajin tetor, drejtoria e Tatimeve ka arkëtuar rreth 800 milionë lekë për shkak të nisjes së fushatës së ndërgjejësimit në datën 1 tetor. Aktualisht ka disa rezultate pozitive në termat e mbledhjes së të ardhurave”, deklaroi ajo. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›