Ankimimi i qeverisë për Ballukun, Kushtetuesja ia kalon mbledhjes së gjyqtarëve

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi kalimin e ankimimit të Kryeministrisë për pezullimin nga GJKKO të zëvendëskryeministres, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare. Vendimi u mor në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore.
Kolegji i përbërë nga Sandër Beci (relatori), Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, sipas medieve vendosi të kalojë çështjen në mbledhjen me tetë gjyqtarë të Kushtetueses.
Sipas njoftimit nga Kushtetuesja, vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
Qeveria kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu qeveria kërkon shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së për pezullimin e ministres Balluku nga detyra.
GJKKO ka vendosur dy masa sigurie për Ballukun, atë të pezullimit nga detyra dhe ndalimin e lëvizjes jashtë vendit.
/m.q/j.p/r.e/