KOMENT – Zelensky bën thirrje për një fund dinjitoz të luftës

PARIS, 2 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për një fund dinjitoz të luftës duke paralajmëruar se Rusia nuk duhej të ndihej e shpërblyer për luftën në Ukrainë, sipas “France24”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron nuk është i kënaqur me vendimin e Donald Trump për të përjashtuar Bashkimin Evropian nga negociatat e paqes në Ukrainë.
Macron ftoi dje presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Pallatin Elize – për të diskutuar propozimin e paqes të SHBA-së.
Takimi u zhvillua një ditë para një takimi në Moskë midis presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit të posaçëm të Donald Trump, Steve Witkoff.
Narrativa mbizotëruese është se kjo do të jetë një javë kyçe për të ardhmen e luftës.
Në Paris, Zelensky bëri thirrje për një marrëveshje paqeje të drejtë.
“Ne duhet të sigurohemi që Rusia të mos ketë përshtypjen se po merr një shpërblim për luftën. Ne duhet ta përfundojmë luftën në mënyrë dinjitoze”, tha presidenti ukrainas.
Zelensky pranoi se çështja më e vështirë në negociatat e paqes ishte lëshimi i territorit. “Rusia duhet t’i japë fund kësaj lufte”, tha ai.
Pas disa javësh bllokimi, presidenti amerikan, Donald Trump vendosi dhjetë ditë më parë të rifillonte bisedimet me Moskën dhe Kievin, pa përfshirë Brukselin.
Por, Macron dëshiron ta parandalojë Trump nga presioni ndaj Zelensky – për të nënshkruar një marrëveshje që është në dobi të interesave të Putinit – duke këmbëngulur se nuk mund të kishte një marrëveshje të plotë paqeje pa evropianët “në tryezën e negociatave”.
Sipas presidentit francez, marrëveshja për t’i dhënë fund luftës duhej të përfshinte edhe garancitë e sigurisë – misionin ushtarak që do të dislokonte ushtarët evropianë në terren – çështjen e pranimit të Ukrainës në BE dhe çështjen e aseteve të ngrira ruse.
Franca mbështet një armëpushim të qëndrueshëm, por beson se Zelensky nuk mund ta pranojë paqen me çdo çmim.
Në këtë drejtim, Macron paralajmëroi Trump se vetëm Kievi mund të vendoste për lëshimin e territorit duke nënvizuar se çështja nuk ishte zgjidhur ende.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë një rol ndërmjetësues dhe unë e mirëpres punën që po kryhet nga ekipi amerikan nën autoritetin e presidentit Trump. Por Ukraina është e vetmja që mund të flasë vetë”, tha Macron.
Gjatë takimit në Pallatin Elize, të dy udhëheqësit zhvilluan bisedime nëpërmjet videokonferencës, fillimisht me tetë udhëheqës evropianë nga brenda dhe jashtë BE-së, përfshirë kryeministrin britanik, Keir Starmer dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, dhe më pas me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff dhe negociatorin ukrainas.
“Ne ndajmë bindjen se lufta duhet të përfundojë në mënyrë te drejtë”, theksoi Zelensky.
Paqja është e arritshme
Zelensky e informoi Macron për progresin në negociatat pas takimit të së dielës në Florida midis delegacioneve amerikane dhe ukrainase, të cilët raportuan bisedime “produktive”.
Trump u shfaq optimist dhe la të kuptohej se ditët në vijim do të ishin çelësi për nënshkrimin e një armëpushimi.
“Mendoj se Rusia do të donte që lufta të mbaronte dhe e di që edhe Ukraina e dëshiron këtë”, tha presidenti amerikan.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Michel Barrot gjithashtu beson se negociatat janë në rrugën e duhur.
“Paqja është e arritshme”, tha ai për “The Sunday Tribune”.
Takimi midis Witkoff dhe Putin do të shërbejë për të diskutuar ndryshimet e kërkuara nga Ukraina në planin e paqes të paraqitur nga SHBA-ja, i cili ishte qartësisht në favor të interesave ruse.
Por, nuk është e qartë nëse Putini do të dorëzohet. Presidenti rus, nxitësi i luftës, dëshiron që Zelensky të heqë dorë nga territoret e pushtuara, si Donetsku dhe Zaporizhia, dhe të angazhohet për reduktimin e ushtrisë së tij, ndër kërkesave të tjera.
Për Macron, takimi ishte gjithashtu një mënyrë për të demonstruar mbështetjen e tij për presidentin ukrainas, i cili është më i dobët se kurrë për shkak të skandalit të korrupsionit që ka shpërthyer në qeverinë e tij.
Edhe pse negociatat e paqes po përshpejtohen, presidenti Putin nuk po lëshon pe në terren.
Gjatë undjavës, Rusia sulmoi kryeqytetin ukrainas dhe rajonin përreth tij me dronë dhe raketa, një veprim i kritikuar ashpër nga Macron.
Dje në mëngjes, një raketë balistike ruse goditi qytetin e Dnipros, në lindje të vendit, duke vrarë të paktën katër persona dhe duke plagosur 40 të tjerë, në një nga sulmet më të rënda të regjistruara në rajon në javët e fundit. //a.i/