Apeli i GJKKO lë në fuqi masën “arrest me burg” për Veliajn

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi masën “arrest me burg” për kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës ankimoi masën e sigurisë, ndërsa kërkoi lehtësimin e saj duke ofruar garanci pasurore.
Gjyqtari Engert Pëllumbi nuk ndryshoi masën e sigurisë, me “objekt informacion 2 mujor për zbatimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, për personin nën hetim Erion Veliaj dhe për zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” për personin nën hetim Elman Abule, lidhur me hetimet paraprake të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit dhe dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
/a.f/