Apeli i GJKKO rikthen në burg ish-prokurorin e Sarandës Sali Hasa

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka dënuar me 2 vite e 4 muaj burg ish-prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, duke ndryshuar kështu vendimin e Shkallës së Parë.
Ish-prokurori u dënua nga GJKKO me 2 vite burg për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Por dënimi iu konvertua me 4 vite shërbim prove, duke çuar në lirimin e Hasës në vitin 2023, i cili gjithashtu u përjashtua për 5 vite nga funksionet publike.
Pas vendimit të sotëm, 18 qershor 2025, Hasa duhet të shlyejë pjesën e mbetur të dënimit në qeli. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve.
Vendimi u mor nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare). /j.p/
