Apeli zbut dënimet për “5D”, shërbim prove për anëtarët e komisionit të ofertave në Bashkinë e Tiranës

Apeli i Posaçëm zbut dënimet e një pjesë të dosjes 5D. Fjala është për 5 të pandehur, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të ofertave dhe titullaren e autoritetit kontraktor “Tirana Parking”. Kjo e fundit, Eglantina Zere u dënua fillimisht me 9 muaj burg ndërsa tashmë dënohet me 1 vit shërbim prove.
Sipas SPAK, Zere si titullare e “Tirana Parking”, institucion në varësi e Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me anëtarët e komisionit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, si dhe me të pandehurin Kristo Zhulati në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Prokurimit kanë krijuar kushte ndaj disa kompanive.
Prokuroria e Posaçme zbuloi se përmes avantazheve dhe privilegjeve të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k”, emri i mëparshëm i kompanisë 5D dhe një shoqërie tjetër ata kanë lejuar bërjen e procedures së prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te Selman Stermasi”, e zhvilluar në datën 1 tetor 2019.
Kështu të pestë me vendim të formës së prerë janë dënuar me 12 muaj shërbim prove për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera.
Për këtë vepër penale janë duke u gjykuar edhe ish drejtorët e bashkisë së Tiranës, Taulant Tusha, Mariglen Qato dhe Redi Molla./vizionplus.tv