Aplikacioni TEA, Kumbaro: Nga veriu në jug, aktivitetet turistike e kulturore nuk ndalen

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Kalendari turistik i eventeve verore edhe këtë vit vjen i harmonizuar në aplikacionin TEA, Tourism Events of Albania.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi sot të gjithë të instalojnë këtë aplikacion, për të mos humbur asnjë nga aktivitetet turistike që zhvillohen në vend.
“Nga veriu në jug, arti dhe aktivitetet turistike e kulturore nuk ndalen. Nga Tirana në Prespë, nga Shkodra në Gjirokastër – festivale, ekspozita, teatër, muzikë harmonizohen në një kalendar plot jetë që sjell në skenë shpirtin krijues të artistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë”, tha Kumbaro.
Duke i bërë apel qytetarëve të instalojnë aplikacionin, Kumbaro u shpreh se “nëpërmjet TEA, udhërrëfyesit të aktiviteteve nëpër gjithë Shqipërinë përjetoni më të mirën e ngjarjeve kulturore dhe artistike”.
Ministrja Kumbaro ndau gjithashtu disa nga aktivitet që do të zhvillohen gjatë muajit maj dhe qershor në të gjithë vendin si : “The Cloud Festival” nga 21-31 maj tek Reja në Tiranë; Edicioni i katërt i konkursit ndërkombëtar “Tempo” nga 22-25 maj; Festivali i Monodramës nga 29 maj deri në 4 qershor në Tiranë; Aulona Inter Folk Festival nga 23-25 maj në Vlorë; Eja në Prespë 31 maj; Vjosa n’Fest në 23-24 maj; Vjosa Art në 21-31 maj; Qershi mbi art dhe trashëgimi në Maliq; Shkodra Art Residence në 25-31 maj, etj.
Aplikacioni TEA, i vetmi udhërrëfyes digjital i Shqipërisë turistike është një shembull i shkëlqyer sesi teknologjia mund të përdoret për të përmirësuar dhe modernizuar përvojën turistike, duke ofruar informacion të shpejtë, të saktë dhe të përshtatur për turistët.
Që nga lançimi i tij, ky aplikacion u ka mundësuar turistëve të kenë një përvojë më të pasur dhe të lehtë në eksplorimin e destinacioneve turistike të vendit.
Ky aplikacion është i disponueshëm falas në Apple Store dhe në Play Store dhe është projekt i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe i Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
1 nga 17/a.f/