E Martë, 3 Nëntor 2026

Sfidat mjedisore, ambasadori i OSBE vizitë në Ishëm dhe Fushë-Krujë

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran zhvilloi një vizitë në Ishëm dhe Fushë-Krujë, ku u angazhua me autoritetet vendore dhe shoqërinë civile për të kuptuar më mirë sfidat dhe zgjidhjet në nivel lokal.

Ai u takua me përfaqësues të “Recycle Albania”, një aktor kyç që promovon veprime konkrete në nisma për ekonominë qarkore dhe edukimin e të rinjve në këtë zonë.

Gjithashtu ambasadori i OSBE bisedoi me përfaqësues të Njësisë Administrative Ishëm për të kuptuar më thellë sfidat mjedisore vendore dhe përparësitë në trajtimin e tyre.

Tarran u takua edhe me Denisa Kasën, një përfaqësuese e rinisë, e cila po mobilizon në mënyrë aktive mbi 150 të rinj për aksione pastrimi të lumit dhe sensibilizim për ndotjen dhe mbrojtjen e natyrës.

Vizita përfshiu edhe vëzhgime në terren të ndotjes në deltën e lumit Ishëm – një nga pikat më kritike mjedisore në Shqipëri.

Prezenca e OSBE thekson, në një postim në rrjetet sociale, se “situata kërkon veprim të përbashkët nga të gjitha autoritetet dhe është e bëshme me vullnet politik. Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të promovuar qeverisjen dhe sigurinë, si edhe për të mbështetur zgjidhje të udhëhequra nga komuniteti për një të ardhme më të pastër dhe të qëndrueshme”.

1 nga 11

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›