E Hënë, 2 Nëntor 2026

ANKARA – Turqia vendos avion “AWACS” në Lituani në kuadër të masave të NATOS-s

ANKARA, 25 shtator /ATSH/ – Turqia ka dislokuar përkohësisht një avion paralajmërues  dhe kontrollues në Lituani si pjesë e masave të sigurisë së NATO-s, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes, pas shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore nga dronët ruse, sipas “Reuters”.

Lituania, Estonia, Danimarka dhe Polonia kanë deklaruar se dronë apo avionë luftarakë rusë kanë shkelur hapësirën e tyre ajrore javët e fundit, duke nxitur aleancën të forcojë mbrojtjen përgjatë krahut lindor të Evropës.

“Brenda kuadrit të Masave të Sigurisë së NATO-s, avionët tanë të Sistemit të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror (AWACS) po kryejnë misione në hapësirën ajrore të Lituanisë”, tha ministria në deklaratën e saj javore për shtyp.

“AWACS” kanë aftësi për të zbuluar dronë që fluturojnë ulët dhe objekte të tjera që radarët tokësorë nuk arrijnë t’i kapin.

Ministria nuk dha informacione të tjera.

Polonia ka rrëzuar disa nga dronët, ndërsa parlamenti i Lituanisë i dha forcave të armatosura kompetenca për të rrëzuar çdo dron pa pilot që shkel hapësirën e saj ajrore.

Zyrtarët perëndimorë thonë se Rusia po kryen këto shkelje për të testuar gatishmërinë dhe vendosmërinë e NATO-s. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›