DANIMARKË – Ministri i Mbrojtjes: Pas inkursioneve me dronë fshihet një aktor profesionist

KOPENHAGË, 25 shtator /ATSH/- Gjatë natës dhe për herë të dytë këtë javë – dronët kanë ndërprerë aktivitetin në një aeroport danez, sipas BBC.
Aeroporti i Aalborgut, i përdorur për fluturime tregtare dhe ushtarake në veri të vendit, u mbyll përkohësisht kur disa dronë u raportuan në hapësirën ajrore midis orës 22:00 dhe 02:00 të mbrëmjes së kaluar.
Aeroportet më të vogla në jug të Danimarkës gjithashtu raportuan aktivitet dronësh, por nuk ishin mbyllur.
Këtë mëngjes, autoritetet daneze e kategorizuan atë si një “sulm hibrid” që mund të ishte kryer nga një “aktor profesionist”.
Ata thanë se dronët ishin lëshuar në nivel lokal, por nuk fajësuan drejtpërdrejt Rusinë – apo ndonjë vend tjetër.
Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Poulsen tha se Danimarka ishte përballur me një “sulm hibrid”.
Meqenëse ishte sistematik, duke përdorur dronë në një zonë të gjerë dhe afër bazave ushtarake, ai tha se kushdo që qëndronte pas tij ishte një “aktor profesionist”.
Hapi tjetër për udhëheqësit e Danimarkës është të vendosin nëse do ta përdorin Nenin 4 të NATO-s, i cili kërkon që anëtarët e aleancës mbrojtëse të zhvillojnë konsultime.
Nëse e bëjnë këtë, kjo do të ishte hera e tretë brenda muajit – që Neni 4 është përdorur, pasi Estonia dhe Polonia e kanë bërë tashmë këtë, për incidente të ngjashme.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, Danimarka po përballet me një “realitet të ri”, nga dikush që kërkon të destabilizojë vendin. //a.i/