‘Arlinda Zekaj kërkoi ndihmë disa herë, policia e la në duart e vrasësit’, DW: Femicidi që tronditi Kosovën, ‘kolaps i shtetit’

Arlinda Zekaj iu drejtua policisë shumë herë duke kërkuar mbrojtje. Por policia mendonte se ajo po e ekzagjeronte. Më 25 tetor, 49-vjeçarja dëshmoi sërish kundër bashkëshortit të saj, i cili më pas u arrestua. Por Zekaj kërkoi edhe mbrojtje të mëtejshme - këtë herë prej familjes së bashkëshortit. Por lutjet e saj ranë në vesh të shurdhër.
Policia e shoqëroi Arlinda Zekajn deri në shtëpi. Atje e priste vrasësi i saj.
Në orën 20:58 ajo doli nga vetura e policisë. Pak më vonë, në polici mbërriti një telefonatë emergjente. Kur policia u kthye në shtëpinë e Zekajt në orën 21:10, gjeti vetëm trupin e pajetë të gruas. Ajo ishte vrarë brutalisht me sëpatë në dhomën e gjumit. I dyshuari për vrasjen është kunati i saj, A. S., i cili në atë moment ndodhej në arrati.


Vrasja ndodhi në mbrëmjen e vonë të 25 tetorit 2026, në fshatin Vitomiricë, pranë qytetit të Pejës, në perëndim të Kosovës. Ky rast tragjik shkaktoi protesta të shumta publike dhe demonstrata me mijëra pjesëmarrës në disa qytete të Kosovës.
Ky është tashmë femicidi i tetë në shtetin më të ri në Europë gjatë këtij viti – dhe ndoshta më brutali nga të gjithë. Sepse, ndryshe nga shumë vrasje të tjera të grave në vitet e fundit, vrasja e Zekajt ndodhi edhe për shkak se policia dhe prokuroria në Kosovë i shpërfillën thirrjet e saj për ndihmë.
Ministrat refuzojnë të japin dorëheqjen
Një nga reagimet e para ishte protesta e 26 tetorit, kur një grup feministesh derdhën bojë të kuqe para selisë së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë.
Në një pankartë që aktivistet vendosën në hyrje të ndërtesës shkruhej: „Shteti e vrau Arlindën!" Edhe në ditët në vijim, zemërimi nxori mijëra njerëz në rrugët e Kosovës. Shumë prej tyre mbanin në duar fotografi të grave të vrara. Vazhdimisht shfaqej edhe slogani: „Qeveria i ka duart me gjak".
Të dielën, më 1 nëntor 2026, mijëra persona dolën sërish në protesta në të gjithë vendin.
Protestuesit kërkojnë ngritjen e aktakuzave ndaj policëve dhe prokurorëve përgjegjës për rastin Zekaj. Gjithashtu, kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, të cilën kryeministri Albin Kurti e ka emëruar në mars të vitit 2026 si koordinatore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje.
Si Sveçla, ashtu edhe Gërvalla deri më tani kanë refuzuar të japin dorëheqjen. Megjithatë, Kurti ka pranuar se disa institucione të shtetit të Kosovës kanë „dështuar".
Një vrasje e paralajmëruar
Në të vërtetë, kjo ishte një lloj vrasjeje e paralajmëruar.
Që gjatë verës, Arlinda Zekaj e kishte denoncuar bashkëshortin e saj për kërcënime. Më pas, një gjykatë në Pejë kishte nxjerrë një urdhër mbrojtjeje, duke ia besuar përkohësisht kujdestarinë e djalit të përbashkët dhe duke i dhënë asaj të drejtën e përdorimit të shtëpisë familjare. Urdhëri i mbrojtjes parashikonte gjithashtu që bashkëshorti i saj të mund të jetonte në të njëjtën shtëpi, por të mos i afrohej asaj më shumë se dy metra. Jashtë shtëpisë, distanca e përcaktuar ishte 20 metra.
Vetë Zekaj kishte refuzuar të vendosej në një strehimore për gratë, sepse dëshironte të vazhdonte të jetonte në shtëpinë e saj me të birin.
Edhe pas lëshimit të urdhërit të mbrojtjes, ajo ishte ankuar disa herë në polici, ndër të tjera edhe për kërcënimet nga kunati i saj.
Veçanërisht alarmuese ishte një ankesë e bërë vetëm tri ditë para vrasjes.
Më 22 tetor, Zekaj i kishte raportuar policisë se pjesëtarë të familjes së bashkëshortit të saj po qëndronin kundër vullnetit të saj në shtëpinë e saj. Mes tyre ishte edhe A. S..
Sipas deklarimeve të saj, ai e kishte kërcënuar me fjalët:
“Largohu, përndryshe do të të vras!"
Pavarësisht këtij kërcënimi konkret me vdekje, A.S. deri në momentin e vrasjes ishte marrë në pyetje vetëm si dëshmitar në procedurën kundër bashkëshortit të Zekajt.
Pas vrasjes, policia e arrestoi atë më 27 tetor 2026, në afërsi të Pejës. Kundër tij po zhvillohen hetime për vrasje.
“Kolaps i shtetit"
Që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë 55 gra nga partnerët ose pjesëtarët e familjes së tyre. Shpesh, këto vrasje kanë ndodhur pas vitesh dhune të dokumentuar dhe denoncimesh të shpërfillura.
Gjatë viteve të fundit, qeveritë e Kosovës kanë miratuar disa ligje dhe rregullore për luftimin më efikas të dhunës ndaj grave. Për shembull, në raste të tilla tashmë mund të shqiptohen edhe dënime me burgim të përjetshëm për vrasësit.
Megjithatë, aktivistet kritikojnë faktin se këto masa nuk zbatohen në mënyrë konsekuente dhe të koordinuar nga institucionet përgjegjëse, përfshirë policinë, shërbimet sociale, prokuroritë dhe gjykatat.
Avokatja Njomeza Zejnullahu shkruan në një artikull për portalin Nacionale: „Pas çdo vrasjeje dëgjojmë të njëjtën fjalë: dështim. 'Institucionet kanë dështuar.' Unë nuk pajtohem. Dështim është kur diçka ndodh një herë, kur një sistem që zakonisht funksionon pëson një defekt në një pikë të caktuar. Kur rastet përsëriten, kur viktimat janë pothuajse gjithmonë gra dhe secila prej tyre ka trokitur më parë në dyert e një institucioni, kjo nuk është më dështim. Ky është kolaps i shtetit dhe i shoqërisë përballë vetë gruas."
Çfarë duhet bërë?
Si pasojë e vrasjes së Arlinda Zekajt, deri më tani janë pezulluar nga detyra disa zyrtarë të lartë të policisë në Pejë dhe rrethinë. Gjithashtu, është pezulluar edhe një prokurore që ishte marrë me denoncimet e Zekajt.
Megjithatë, për protestuesit në Kosovë, kjo është shumë larg të qenit e mjaftueshme.
“Të gjithë personat e përfshirë në zinxhirin e përgjegjësisë duhet jo vetëm të shkarkohen nga pozitat e tyre për moskryerjen e detyrave zyrtare, por edhe të ndiqen penalisht", thotë për DW Liridona Sijarina, politologe dhe aktiviste feministe nga Kolektivi Feminist i Kosovës.
“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për policët, prokurorët dhe gjyqtarët, por edhe për kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe në fund edhe për nivelin ministror."
Sipas Sijarinës, aktivistet feministe kërkojnë gjithashtu krijimin e një njësie të veçantë brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila do ta trajtonte sigurinë e grave si çështje të sigurisë kombëtare dhe do të merrej në mënyrë të posaçme me parandalimin e femicideve.
Përveç kësaj, qeveria duhet ta vendosë në krye të agjendës së saj politike projektligjin për banimin social të përballueshëm. Në të duhet të parashikohet edhe mundësia që gratë që kanë përjetuar dhunë në familje të strehohen në banesa sociale.
“Ne besojmë", thotë Sijarina, se sjellja institucionale deri më tani vetëm sa do ta thellojë edhe më shumë mosbesimin e grave ndaj shtetit dhe, si pasojë, do të çojë në përshkallëzimin e dhunës ndaj tyre.
“Qeveria e ka në dorë të tregojë nëse e merr seriozisht jetën e grave, duke u pozicionuar qartë ndaj kërkesave tona."/ DW