Arrestimi i Çyrbjas, Berisha: Fakton se vendimmarrës është krimi

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja i cili akuzohet nga SPAK për tre vepra penale.
Kryetari i PD-së ka kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se “është autor kryesor i ndërtimit me angazhimin e tij direkt të piramidës më të madhe të krimit në Europë”.
Sipas Berishës, rasti Çyrbja është rasti që fakton në mënyrën më të pakundërshtueshme faktin se në Shqipëri vendimmarrës numër 1 është krimi.
“Sot është e faktuar dhe mediat belge e kanë bërë publike emrin e tij, si një bashkëpunëtor i bandave më të rrezikshme shqiptare në Europë dhe në botë.
Kemi të bëjmë me diktatin e plotë të klanit mafioz Avdylaj, jo vetëm për futjen në listë, por dhe renditjen i dyti pas Edi Ramës të gjinisë mashkullore në listën e Durrësit”- tha Berisha. /j.p/