Arrestimi i avokatit Barjami, KLP: Kemi kërkuar informacion mbi ngjarjen, nuk dalim në përfundim të nxituar

Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani, ka deklaruar se institucioni që ajo drejton nuk do të shprehet lidhur me arrestimin e avokatit Ulian Barjami në Elbasan, pa pasur më parë një informacion të plotë mbi rrethanat e ngjarjes.
Gjatë raportimit në Kuvend mbi veprimtarinë e KLP-së për vitin 2024, Bogdani tha se është kërkuar informacion zyrtar për situatën, ndërsa vendimmarrja do të vijojë vetëm pas vlerësimit të të dhënave.
“Vendosëm që fillimisht të kërkojmë informacion për situatën dhe më pas të vlerësojmë qëndrimin. Nuk mund të shprehemi pa pasur një panoramë të plotë të ngjarjes. Informacioni në media ishte i kufizuar dhe nuk dëshirojmë të dalim me një përfundim të nxituar pa mbledhur të gjitha të dhënat e nevojshme,” tha Bogdani.
Dhoma e Avokatisë ka deklaruar bojkot pesë ditorë si reagim mbi ngjarjen, teksa Bogdani e vlerësoi këtë qëndrim si pjesë e funksionimit demokratik të institucioneve dhe theksoi se KLP është në pritje të vlerësimit të rrethanave për të vendosur nëse do të mbajë një qëndrim publik për rastin.
“Reagimi nga ana e Dhomës së Avokatisë është demokraci dhe mënyra sesi duhet të funksionojnë institucionet. Ne do të vendosim nëse do të kemi një qëndrim apo jo, jemi në pritje të vlerësimit të rrethanave,” përfundoi Bogdani.
/rtsh.al/