KLP raporton në Kuvend, Staka: Duhet të rritet numri i prokurorëve për të zgjidhur stokun e dosjeve

Anëtari i KLP-së Vatë Staka, e ka vënë theksin te nevoja për rritjen e numrit të prokurorëve, për të adresuar problematikën e stokut të dosjeve. Deklarata u bë gjatë raportimit të KLP-së në Kuvend për veprimtarinë e vitit 2024.
Sipas Stakës, është Prokuroria e Përgjithshme që duhet t’i drejtohet Kuvendit me një kërkesë zyrtare për shtimin e numrit të prokurorëve.
“Pavarësisht se është Prokurori i Përgjithshëm që i drejtohet Kuvendit, KLP ka një bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme. Është kompetencë e Kuvendit. Në reformën e re, 22 prokurorë nuk e ushtrojnë detyrën për ndjekjen penale sepse janë në pozicione të tjera,” tha Staka.
Ai sqaroi se një pjesë e konsiderueshme e prokurorëve janë angazhuar në funksione të tjera institucionale, duke mos ushtruar detyrën në organet e drejtësisë.
“60 janë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Tre jemi këtu, tre janë në zyrë, dhe pesë janë këshilltarë në KLP — bëjnë 11. Ka prokurorë pranë ILD-së, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Këta janë llogaritur si prokurorë, por në fakt nuk e ushtrojnë detyrën në sistemin e drejtësisë,” u shpreh ai.
Staka bëri të ditur se KLP ka kërkuar në mënyrë informale, por edhe përmes delegacionit të Bashkimit Evropian, që të realizohet një përllogaritje e numrit optimal të prokurorëve në raport me popullsinë.
“Kjo është diçka që nuk e bën vetë Këshilli. Mund ta bëjmë, por mund të cedojmë në cilësi. Prandaj po presim një lloj ekspertize që ta adresojmë njëherë e mirë,” përfundoi Staka.
/rtsh.al/