Arrestohen 4 persona në Tiranë, shisnin drogë në zona të ndryshme të kryeqytetit. Sekuestrohen mbi 400 gramë kokainë

Katër shtetas janë arrestuar në kryeqytet gjatë fazës së katërt të operacionit të koduar “Zonat”, i fokusuar në goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Në pranga kanë përfunduar E. S. (45 vjeç), I. D. (54 vjeç) dhe F. Gj. (48 vjeç), të cilët u kapën në flagrancë në Rrugën e Kavajës. Ata dyshohet se siguronin sasi të konsiderueshme kokaine, që dyshohet se e shpërndanin kryesisht në zonat “Ish-parku” dhe “Brryli”. Gjithashtu, u ndalua E. D. (32 vjeç), i cili shiste doza kokaine në ambientet e subjektit ku punonte.
Gjatë operacionit u sekuestruan mbi 400 gramë kokainë, një pjesë e ndarë në mbi 200 doza, 2 peshore elektronike, shuma parash dhe 4 celularë.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, mbi bazën e informacioneve operative. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Tiranë/Finalizohet faza e 4-t e operacionit të koduar “Zonat”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.
Vihen në pranga 4 shtetas që shitnin lëndë narkotike Kokainë, në zona të ndryshme në Tiranë.
Sekuestrohen mbi 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë (një pjesë e ndarë në mbi 200 doza), 2 peshore elektronike, shuma parash dhe 4 celularë.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të kryera mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për raste të shitjes së Kokainës, organizoi dhe finalizoi në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, fazën e 4-t të operacionit të koduar “Zonat”. Si rezultat, u vunë në pranga shtetasit:
-E. S., 45 vjeç, I. D., 54 vjeç dhe F. Gj., 48 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë në Rrugën e Kavajës, me sasi të lëndës të dyshuar narkotike Kokainë, që i posedonin me qëllim shitjen. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë narkotike në sasi të konsiderueshme dhe më pas e shitnin në doza, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonat e quajtura “Ish-parku” dhe “Brryli”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 350 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë dhe 2 peshore elektronike.
-E. D., 32 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza Kokaine, në disa zona në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë (e ndarë në mbi 220 doza) dhe një shumë parash, që i posedonte ky shtetas, në ambientet e subjektit ku punonte.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/