Arrestohet 18-vjeçari në Massachusetts, kërcënoi se do të vriste Presidentin Trump

Amerikë | 2 minuta më parë
Një 18-vjeçar nga Massachusetts është arrestuar pasi dyshohet se kishte kërcënuar me vrasje Presidentin amerikan Donald Trump dhe kishte paralajmëruar një sulm të armatosur në shkollë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet sekuestruan armë dhe pajisje ushtarake.
Trenton Touch, 18 vjeç, banues në Tewksbury të Massachusetts, përballet me akuza federale pasi dyshohet se kishte publikuar në Instagram fotografi me armë dhe mesazhe kërcënuese ndaj Presidentit Trump.
“Është koha! Do ta vras Trumpin”, ishte një nga mesazhet që i riu dyshohet se kishte dërguar më 21 qershor 2026, së bashku me fotografinë e një arme.
Sipas dokumenteve të akuzës, hetuesit zbuluan katër llogari në Instagram që dyshohet se administroheshin nga 18-vjeçari, ku publikoheshin materiale ekstremiste dhe kërcënime për dhunë.
FBI dyshon se i riu ishte përkrahës i ideologjisë së supremacisë së bardhë dhe admirues i autorëve të masakrave masive. Në postimet e tij, ai dyshohet se i quante disa prej tyre “heronj”, duke përmendur edhe sulmin terrorist në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë 51 persona.
Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti një armë zjarri të tipit revolver, veshje kamuflazhi, helmetë balistike, thika ushtarake dhe një sëpatë.
Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua në orët e para të mëngjesit, duke alarmuar banorët e lagjes. Një dëshmitar tregoi se kishte parë rreth 12 automjete policie dhe kishte dëgjuar shpërthime gjatë ndërhyrjes.
“Ky individ përbënte një kërcënim serioz për sigurinë publike”, deklaroi Ted E. Docks, drejtues i FBI-së në Boston, duke theksuar se i dyshuari kishte potencialisht edhe mjetet për të realizuar kërcënimet.
Prokurorja federale Leah Foley deklaroi se kërcënimet e 18-vjeçarit nuk mund të shpërfilleshin.
Touch është paraqitur më 26 tetor në Gjykatën e Lowell për akuzat shtetërore që lidhen me armëmbajtjen pa dokumentacion dhe ruajtjen e parregullt të armës. Gjykata vendosi garanci prej 50 mijë dollarësh.
Më 9 nëntor ai pritet të dalë përpara Gjykatës Federale në Boston, ku vetëm akuza për kërcënimin ndaj Presidentit të SHBA-së parashikon deri në 5 vite burg dhe 250 mijë dollarë gjobë.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu kërcënimet e dyshuara për një masakër në shkollë. Shefi i Policisë së Tewksbury, Ryan Columbus, vlerësoi se ndërhyrja e FBI-së mund të ketë parandaluar një tragjedi me shumë viktima.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.