Batha zëvendëson grurin në Myzeqe–Fermerët zgjedhin kulturën më pak të kushtueshme me treg të sigurt

Bujqësi | 21 minuta më parë
Fermerët e Myzeqesë po ndryshojnë traditën e mbjelljeve, duke u dhënë gjithnjë e më shumë hapësirë kulturave alternative. Në fushën e Tërbufit, batha po fiton terren si një zgjedhje më ekonomike:
“Ka disa vite që Batha po merr territor, po merr zgjerim në mbjellje dhe janë shumë arsye që kanë ndikuar në kultivimin e bathës në zonën e Turbufit, sidomos në zonën e Grabianit”, deklaroi Drejtor i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, Lushnjë, Ferdinand Shani.
Sipas fermerëve mbjellja e një hektari me bathë kushton rreth 25 për qind më pak se kultivimi i grurit. Edhe çmimi i shitjes ka qenë një tjetër nxitës. Sezonin e kaluar, një kilogram bathë e thatë u shit me 150 deri në 200 lekë. Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit tërhiqet nga eksporti. Sipas drejtorit të AREB-it në Lushnjë, Ferdinand Shani në këtë zgjedhje po ndikojnë edhe ndryshimet klimatike.
“Batha ka patur treg deri tani. Është një kulturë që dhe shpenzimet, koston e ka më të ulët, por duke mbjellë vit për vit grurë, elbë, kjo bën dhe qarkullimin bujqësor, bën dhe rregullimin e tokës, por dhe ndryshimet klimatike po bëhen çdo vit më të papërshtatshëm për kultivimin e grurit”, shtoi Shani.
Të dhënat tregojnë se në këtë zonë gjatë pesë viteve të fundit, sipërfaqja e mbjellë me grurë ka rënë nga 12 mijë hektarë në vetëm 2300 hektarë. Ndërsa batha po kthehet gradualisht në një nga kulturat me potencial për fermerët e Tërbufit, duke ofruar kosto më të ulëta prodhimi dhe mundësi më të mira shitjeje.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.