E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 35-vjeçari në Dibër, plagoset gjatë operacionit efektivi i forcave “Shqiponja”

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Policia e Dibrës arrestoi një 35-vjeçar të shpallur në kërkim pasi ishte dënuar për disa vepra penale të kryera në Itali, ndërsa një efektiv i Forcave “Shqiponja”, mbeti i plagosur gjatë operacionit.

Në kudër të operacionit “Vendimi”, policia e Dibrës në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” në orët e para të mëngjesit të sotëm arrestuan në Maqellarë shtetasin Klodian Llomi (Mazari), 35 vjeç, banues në fshatin Kërçisht, Maqellarë.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të  Romës në Itali, ku  ka  për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike””, njoftoi policia.

Ndërkohë, sipas policisë gjatë zhvillimit të këtij operacioni, një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor G.M., gjatë kapjes së personit në kërkim është rrëzuar nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore.

Policia bëri të ditur se punonjësi i policisë është transportuar me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›