SHBA- Trump paralajmëron ndërprerje të tregtisë me Spanjën pas refuzimit të bazave ushtarake

UASHINGTON 4 mqars /ATSH/ – Donald Trump ka deklaruar se do të ndërpresë të gjithë tregtinë me Spanjën pas një përplasjeje të hapur diplomatike që lidhet me refuzimin e Madridit për të lejuar përdorimin e bazave të saj ushtarake nga forcat amerikane për operacione të lidhura me tensionet dhe sulmet ndaj Iran, sipas BBC.
Deklarata u bë gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ku presidemti Trump e cilësoi Spanjën si një aleate “shumë të pa-bashkëpunueshme” dhe tha se qëndrimi i saj nuk ishte në përputhje me pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara në një kohë kur situata ndërkombëtare është e tensionuar.
Ai theksoi se veprimet e mundshme përfshijnë masa të forta ekonomike, përfshirë kufizimin ose ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare.
Sipas tij, ai ka udhëzuar sekretarin e Thesarit Scott Bessent dhe ekipin ekonomik që të shqyrtojnë hapat konkretë për të “ndërprerë të gjitha marrëdhëniet tregtare dhe financiare” me Madridin, nëse nuk arrihet një marrëveshje apo ndryshim qëndrimi. Kjo deklaratë ka ngritur shqetësime për pasojat e mundshme në tregtinë dypalëshe dhe në investimet mes dy vendeve.
Spanja është një partnere e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara brenda strukturave të NATO-s dhe bashkëpunon me Uashingtonin në çështje të mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë.
Një ndërprerje e plotë tregtare, nëse zbatohet, do të ndikonte në sektorë të ndryshëm ekonomikë dhe mund të shkaktonte reagime të forta diplomatike nga pala spanjolle dhe nga Bashkimi Evropian. /Ad.Ab./
Situata mbetet në zhvillim, ndërsa pritet reagimi zyrtar i Madridit dhe analiza e mundshme e ndikimeve ekonomike e politike të një vendimi të tillë. Tensionet mes palëve duket se lidhen drejtpërdrejt me qëndrimet për operacionet ushtarake dhe rolin e aleatëve në kontekstin e përshkallëzimit të konfliktit rajonal.