FSHF përjashton KF Klosin nga Kategoria e Tretë, i zbriten gjashtë pikë për sezonin pasardhës

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka marrë një sërë vendimesh lidhur me incidentet dhe sjelljet josportive në ndeshjet e fundit në kampionatet kombëtare të futbollit.
Komisioni ka vendosur përjashtimin e KF Klosit nga gara e këtij sezoni të Kategorisë së Tretë, pas mosparaqitjes në disa ndeshje. Matjanët do të zbresin një kategori më poshtë në sezonin pasardhës dhe do t’u zbriten gjashtë pikë.
Në kategorinë superiore, KF Teuta dhe KF Vllaznia janë gjobitur me nga 100.000 lekë të rinj secili, për shkak të ndezjes së flakadanëve dhe mjeteve të tjera piroteknike nga tifozët, duke cenuar sigurinë në stadium.
Ndërkohë, mesfushori i KF Egnatia, Albano Aleksi, është pezulluar për dy ndeshje për provokim dhe gjest të pahijshëm ndaj spektatorëve.
Në Kategorinë e Parë, zyrtari i KF Vora, Bazio Tragaj, është pezulluar për gjashtë ndeshje dhe i ndalohet hyrja në çdo stadium, ndërsa klubi është gjobitur me 50.000 lekë për mosmarrjen e masave të sigurisë.
Lojtari i FC Lushnja, Oltjam Haremi, është pezulluar me dy ndeshje, ndërsa kapiteni i FK Apolonia, Ersildjo Asllanaj, është pezulluar për katër ndeshje për sjellje të dhunshme. Klubi Apolonia është gjobitur me 50.000 lekë për sjellje të gabuar të spektatorëve.
Vendime të tjera kanë përfshirë gjoba dhe pezullime në kategoritë e moshave dhe kampionatet U-14, U-16 dhe U-18, për sjellje josportive, mosrespektim të rregullave të ndeshjes dhe aktivizim të lojtarëve pa të drejtë pjesëmarrjeje.
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka bërë të ditur se kundër këtyre vendimeve mund të bëhet ankim brenda tre ditëve përpara Komisionit të Apelit.
/gj.m/j.p/