E Premte, 6 Nëntor 2026

Arrestohet në Greqi pasi vrau ish partneren dhe mikun e saj. Dyshohet edhe për 2 vrasje në Shqipëri

Arrestimi i shqiptarit në Greqi, dyshohet se ka pranuar edhe dy vrasje në Shqipëri, hetohet identiteti i tij i vërtetë

Hetimet pas arrestimit në Athinë të 43-vjeçarit shqiptar Nikolin Pali kanë marrë një drejtim të ri. I dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme për vrasjen e ish-partneres dhe të dashurit të saj në vitin 2020, në Loutraki të Greqisë, ai dyshohet se ka pranuar edhe autorësinë e dy vrasjeve të tjera të kryera në Shqipëri përpara vitit 2002.

Sipas mediave greke, pas këtyre krimeve ai ishte larguar drejt Greqisë për t’iu shmangur drejtësisë. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë edhe dyshimet se Nikolin Pali mund të jetë në të vërtetë Fran Preldakaj, i njohur edhe si Zef Preldakaj, 44 vjeç, i dënuar më parë për vrasje në Shqipëri.

Preldakaj ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana për veprën penale të tentativës së grabitjes në bashkëpunim. Autoritetet shqiptare kishin publikuar më herët edhe njoftimin e kërkimit, ku bëhej e ditur se personi në fjalë ishte dënuar me 22 vite burg për vrasje.

Sipas policisë greke, 43-vjeçari u arrestua nga forcat speciale EKAM në zonën e Patisias, në Athinë. Ai përdorte dokumente identifikimi të falsifikuara dhe konsiderohet nga autoritetet si person me rrezikshmëri të lartë, i dyshuar edhe për përfshirje në vrasje me pagesë.

Policia greke po heton lidhjen e tij me dy vrasje konkrete, të cilat dyshohet se kanë karakteristikat e ekzekutimeve me pagesë. Ndaj tij ishin në fuqi gjashtë vendime dënimi për vrasje me dashje, të kryer në mënyrë të përsëritur, grabitje të përsëritura dhe shkatërrim të pronës me zjarr.

Vendimet më të rënda lidhen me vrasjen e dyfishtë të ndodhur natën mes 10 dhe 11 tetorit 2020, në një shtëpi pushimi në Loutraki të Korinthit. Sipas hetimeve, Pali dyshohet se vrau me sëpatë ish-partneren e tij me origjinë ukrainase, e njohur edhe me emrin grek Fotini, si dhe partnerin e saj të atëhershëm, farmacistin Ioannis Zonitsas.

Sponsorizuar

Pas vrasjes, ai dyshohet se u mori viktimave para dhe bizhuteri. Më pas, transportoi automjetin e gruas në një zonë të izoluar dhe i vuri flakën për të zhdukur gjurmët e krimit.

Gjatë kontrollit në apartamentin ku qëndronte i arrestuari, policia greke gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me ngjyrë argjendi dhe dorezë druri, dy granata plotësisht funksionale, dy mekanizma ndezës për granatat, tre palë pranga metalike, si dhe një leje qëndrimi në emër të një personi tjetër, por me fotografinë e 43-vjeçarit.

Pali u arrestua gjithashtu për kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve dhe personave të drejtësisë, falsifikim dokumentesh, si dhe shkelje të legjislacionit për armët dhe të huajt.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, autoritetet greke komunikuan me homologët shqiptarë përmes Interpolit. Nga verifikimet rezultoi se ndaj tij ishte në fuqi edhe një njoftim ndërkombëtar kërkimi nga Shqipëria për tentativë grabitjeje me armë në bashkëpunim.

Gjatë të njëjtit operacion u arrestua edhe një 41-vjeçare e huaj, e dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe për shkelje të legjislacionit për të huajt.

Sipas policisë greke, i arrestuari ishte evidentuar edhe më parë për çështje që lidhen me narkotikët, grabitjet, shkeljet e ligjit për armët, Kodit Rrugor dhe legjislacionit për lojërat e fatit.m.k

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›