Arrestohet në Shëngjin një i kërkuar ndërkombëtarisht

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Policia e Shtetit ka arrestuar në Shëngjin shtetasin Orgito Paloka, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Fast”. Paloka akuzohet në Spanjë për tentativë vrasjeje.
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se një shtetas në kërkim ndërkombëtar fshihej në qarkun e Lezhës.
Bazuar në informacionin e shkëmbyer në kohë reale me partnerët spanjollë, nëpërmjet rrjetit ENFAST, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Fast”, si rezultat i të cilit u kap në Shëngjin dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Spanjë shtetasi Orgito Paloka, 22 vjeç, lindur në Lezhë.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi, pasi Gjykata e Instruksionit nr. 2 në Ibiza të Spanjës, më 18 maj 2026, ka lëshuar urdhër arresti ndaj tij për veprën penale ‘Vrasje’, e mbetur në tentativë. Vijojnë procedurat për ekstradimin e shtetasit Orgito Paloka në Spanjë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
/a.f/r.e/