E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, goditet grupi kriminal që shiste armë zjarri e municione

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi sot se ka goditur një grup kriminal që shiste armë zjarri, lëndë plasëse dhe municione.

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni i koduar “Rrjeti” u finalizua nga Komisariati Nr. 4 dhe erdhi si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Gjatë operacionit u arrestuan 4 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, ndërsa u sekuestruan 7 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

“Gjatë gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve policore, me objektiv goditjen e veprimtarisë kriminale të këtij grupi, në total janë vënë në pranga 9 shtetas, si dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpe lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë”, njofton Policia.

Sipas njoftimit, u ekzekutuan urdhrat e Prokurorisë së Tiranës për ndalimin e shtetasve M. V., 35 vjeç; E. M., 25 vjeç; F. Z., 29 vjeç; dhe K. B., 32 vjeç. Më tej, u shpallën në kërkim shtetasit K. V., 21 vjeç dhe B. A., 28 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se 6 shtetasit e identifikuar gjatë operacionit “Rrjeti”, së bashku me shtetasit e arrestuar më parë D. J., F. Gj., U. M., L. M. dhe K. M., të organizuar si grup, kanë siguruar dhe kanë shitur në zona të ndryshme të kryeqytetit armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak.

Gjatë operacionit u sekuestruan 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit, i cili vijon për të identifikuar shtetas të tjerë të përfshirë në grup, si dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të tij. Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

1 nga 3

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›