E Martë, 3 Nëntor 2026

Arsimi profesional, mundësi punësimi në turizëm

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Arsimi profesional në sektorin e Hoteleri-Turizmit mbetet një potencial i madh për zhvillimin e turizmit, që gjeneron përfitime të shumta.

Sot gjithnjë e më shumë ai po shihet si faktor i rëndësishëm në mbështetje të biznesit dhe zhvillimit ekonomik.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjete sociale historinë e Vanesës, nxënëses që mes shkollës së përgjithshme dhe asaj profesionale, zgjodhi të aftësohet në Hoteleri–Turizëm në Arsimin Profesional.

Gonxhja ftoi të rinjtë t’i bashkohen arsimit profesional si një mundësi e mirë për tu integruar shpejtë në tregun e punës.

“Si Vanesa, edhe ti mund të ndërtosh një karrierë të sigurt dhe të suksesshme në një nga sektorët më dinamikë dhe më të kërkuar në treg”, u shpreh Gonxhja.

Sot, tha ministri, ajo po përgatitet të jetë një profesioniste e vërtetë në fushën e mikpritjes, teksa ftoi të rinjtë, “Të mos e humbin mundësinë për të ndjekur një drejtim që të jep aftësi konkrete dhe të menjëhershme për tregun e punës”.

Vanesa tregon se përmes informacioneve që mori nga institucionet e linjës apo rrjetet sociale, nuk nguroj të zgjidhte arsimin profesional në fushën e Hoteleri- Turizmit.

“Në vitin e parë dhe të dytë ne marrim njohuri të përgjithshme në sektorin e hotelerisë. Më pas profilizohemi më specifikisht në këtë fushë ku paralelisht zhvillojmë edhe praktika në biznese të ndryshme. Në përfundim të studimeve unë ndihem shumë e aftë për të punuar në këtë sektor. Ndërsa synoj të vazhdoj edhe studimet e larta në këtë profil”, u shpreh Vanesa.

Ajo tha se, “Shkolla e Hoteleri- Turizmit ofron shumë mundësi për të ardhmen e të gjithë të rinjve”.

/e.xh/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›