Mbështetje nga AZHBR, fermeri në Klos pajisi fermën me traktor dhe agregatë modernë

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Flogert Mërxira, në Kurdari të Klosit, vetëm 30 vjeç, zhvillon me pasion traditën e vreshtarisë në zemër të Matit, duke e kthyer dijen e marrë nga universiteti në prodhime cilësore “made in Albania”.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale historinë e tij, teksa vuri në dukje se me mbështetjen nga Skema Kombëtare, Flogerti investoi në mekanizimin e fermerës.
Denaj tha se, “në vreshtin e tij prej 2 hektarësh, Flogerti kultivon 4 varietete rrushi: Tajka e kuqe dhe Çeruja, dy varietete autoktone të zonës së Matit, Sheshi i zi dhe Merlot, me fokus te ruajtja e trashëgimisë bujqësore dhe rritja e cilësisë”.
Denaj u shpreh për zgjerimin e mbështetjes përmes Skemës së Investimeve.
“Me mbështetjen e AZHBR, Flogerti ka pajisur fermën me traktor dhe agregatë modernë që rrisin rendimentin dhe ulin kostot e punës. Përveç vreshtarisë, ai mbarështon edhe 13 krerë lopë, duke ndërtuar një fermë të diversifikuar dhe të qëndrueshme”, theksoi ministrja.
1 nga 5/e.xh/ /a.g/