E Hënë, 2 Nëntor 2026

Artur Metani: Pavarësia gjyqësore, shteg i domosdoshëm për sundimin e ligjit dhe besimin publik

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani në fjalën e tij gjatë tryezës së rrumbullakët mbi rolin e magjistratëve në një shoqëri demokratike dhe funksionin e inspektimeve gjyqësore, theksoi rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe lidhjen e saj me llogaridhënien dhe transparencën.

“Ne, si Inspektorat i Lartë i Drejtësisë, kemi synuar gjithmonë të gjejmë mekanizma të balancuar për llogaridhënie, jo si një mjet kontrolli, por si një instrument për të mbrojtur integritetin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor”, tha Metani.

Ai shtoi gjithashtu se një sistem gjyqësor i pavarur është i domosdoshëm për të siguruar sundimin e ligjit dhe për të mbajtur besimin e publikut.

“Pavarësia e gjyqësorit nuk është një luks, por një kërkesë themelore për çdo shoqëri që aspiron të mbrojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve të saj“, theksoi ai.

Metani përmendi gjithashtu angazhimin e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë në forcimin e transparencës, duke theksuar se ky proces është i domosdoshëm për të siguruar që qytetarët të kenë besim në sistemin gjyqësor dhe të ndjehen të sigurt për administrimin e drejtësisë. “Transparenca dhe llogaridhënia janë dy shtylla që e bëjnë gjyqësorin të përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe të aftë për t’u përballur me sfidat që paraqiten”, shtoi kreu i ILD-së.

Metani gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar, sidomos në kuadër të Rrjetit Evropian të Shërbimit të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ).

Në përfundim të fjalës së tij, Metani theksoi se ruajtja e një balance të drejtë mes pavarësisë së gjyqësorit dhe kërkesës publike për llogaridhënie është një nga sfidat kryesore të sistemit të drejtësisë. “Ne nuk mund të lejojmë që përpjekjet për të siguruar llogaridhënie të shkelin pavarësinë e gjyqtarëve, por gjithashtu nuk mund të mbyllim sytë para kërkesave të qytetarëve për transparencë dhe integritet“, përfundoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›