E Diel, 1 Nëntor 2026

As shiu nuk i ndal protestuesit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ushton nga thirrjet: Rama jep dorëheqjen! Shqipëria kërkon revolucion

As reshjet e shiut nuk kanë mundur të ndalin protestuesit në Tiranë, të cilët kanë vijuar tubimin dhe marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Qytetarët qendrojnë para Kryeministrisë, ku kanë vijuar të kërkojnë largimin e menjëhershëm të Ramës nga detyra. Në kor, protestuesit kanë brohoritur vazhdimisht “Rama jep dorëheqjen!”, ndërsa një tjetër slogan që është dëgjuar fuqishëm në bulevard ka qenë “Shqipëria kërkon revolucion”.

Protestuesit kanë drejtuar thirrje edhe ndaj Policisë së Shtetit, duke e akuzuar për mbrojtjen e qeverisë dhe jo të qytetarëve. “Polici këtu mbron krimin, jo ne” dhe “Polici e krimit” kanë qenë disa nga sloganet e artikuluara gjatë tubimit.

Një tjetër thirrje që ka shoqëruar protestën është “Rama në burg, Berisha në burg”, me të cilën qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike, ndërsa kanë kërkuar ndryshim të sistemit.

Ndërkohë, policia ka marrë masa sigurie pranë godinës së Kryeministrisë, duke larguar automjetet nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›